Analistët opozitarë përballë Edi Ramës dhe dy pyetje për lexuesit

Nga Altin Ketro

Një sërë analistësh politikë që janë pranë kampit opozitar, të cilët kanë një qasje agresive ndaj kryeministrit Rama, qoftë kjo nëpër portale, qoftë kjo nëpër studiot televizive, po përpiqen të ngrenë në opinion publik tezën se: “Edi Rama është i vetmi kryeministër në këto tri dekada që ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës për zgjedhjet”.

Po i mëshojnë fort kësaj teze, sidomos duke theksuar se ai përdor “fuqinë e kartonëve”, për ta paraqitur kryeministrin Rama si një diktator, që nuk i duhet besuar një mandat i tretë.

Po realiteti është krejt ndryshe. Për një faj politik historik, PD e LSI braktisin 2 vjet përpara zgjedhjeve Kuvendin dhe djegin mandatet e deputetëve. Liderët opozitarë, të bindur se në Kuvend nuk do i pasonte kurrkush nga listat e tyre, e ndërmorën këtë hap ekstrem për ta futur në krizë Kuvendin e Shqipërisë, me përfaqësim të vetëm një partie politike. Duke pasur si skenar vijues dhunën në rrugë me protesta që shoqëroheshin me hedhje bombash molotov dhe tentativa për të mësyrë institucionet kushtetuese, strategjia ishte provokimi i zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri teknike tranzitore.

A meriton respekt një opozitë e tillë kaq djallëzore, që e kërkonte rrugën e pushtetit nëpërmjet dhunës?! Logjikisht JO! Por “diktatori” Rama, ndonëse opozita PD- LSI nuk kishte më asnjë përfaqësim institucional, u dha dorën e bashkëpunimit duke ngritur Këshillin Politik, një organizëm joligjor ku do diskutoheshin çështje që kishin të bënin me reformën zgjedhore. Dhe të mendosh që mazhoranca socialiste e kishte ngritur më herët komisionin parlamentar të kësaj reforme, i cili praktikisht doli në plan të dytë sepse fuqinë e mori Këshilli Politik.

Por, që të vijmë tek votimi i “njëanshëm” prej mazhorancës socialiste, duhet të bëjmë nja dy paralelizma për të kuptuar edhe këta analistët se çfarë është të votosh njëanshmërisht duke përdorur forcën e kartonit dhe duke mos kërkuar konsensus me opozitën.

Historia nis me zgjedhjen e presidentëve të republikës. Në vitin 2002, ndonëse socialistët i kishin votat e nevojshme, zgjodhën me konsensusin e opozitës emrin e përzgjedhur prej tyre, atë të zotit Moisiu.

Pesë vjet më pas, në vitin 2007, mazhoranca demokrate me kryeministrin Berisha, nuk i kishin votat për të zgjedhur presidentin. Jo vetëm që nuk i ofruan Partisë Socialiste mundësinë që ta përzgjidhte ajo një kandidat konsensual, por arritën deri aty sa të “peshkojnë” 6 vota nga opozita duke zgjedhur si president numrin dy të PD-së Pa ato 6 vota, vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Vijojmë 5 vjet më vonë, në vitin 2012, ku sërish PD-ja dhe Berisha ishin në pushtet. Edhe kësaj here refuzuan që të zgjidhnin një emër konsensual së bashku me opozitën socialiste dhe votuan njëanshmërisht një prej figurave kryesore të PD-së, ministrin e saj të Brendshëm.

Duke u kthyer paksa në kohë, në vitin 2011, kur diskutohej emri i kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sërish Berisha nuk ia ofroi përzgjedhjen opozitës socialiste, por vendosi me forcën e kartonin si kryetar një deputet e ministër të tijin.

Mund të lindë natyrshëm pyetja: Po ç’lidhje ka në këtë rast, nga njëra anë rregullat zgjedhore e nga ana tjetër zgjedhja e një presidenti apo kryetari të KLSH?

Lidhja është e qartë dhe kuptimplotë. Kur Sali Berisha dhe Partia Demokratike i kanë pasur numrat në Kuvend, nuk e kanë begenisur fare opozitën, por kanë vendosur si e kanë menduar vetë. Nëse deri tani nuk kemi pasur rregulla zgjedhore të vendosura në mënyrë të njëanshme nga Partia Demokratike, kjo ka ndodhur sepse ajo nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për ta bërë këtë gjë.

Kush dyshon se nuk do ta bënte, mjafton që të lexojë edhe njëherë shembujt e mësipërm, për të kuptuar që Berisha e të tijtë nuk të falnin nëse numrat në Kuvend ua lejonin. Jo që Këshill Politik nuk do të kishin pranuar të ngrinin për të zhvlerësuar indirekt Kuvendin, jo që do votonin një Kod Zgjedhor të hartuar prej tyre, por me shumë gjasë opozitën do ta kishin konsideruar si organizatë terroriste e do ta kishin nxjerrë jashtë ligjit, nëse skenat e përditshme të dhunës së demokratëve ndaj kryeministrisë dhe Kuvendit do t’i kishin bërë socialistët.

Dhe së fundi, ata deputetë që zëvendësuan të larguarit e PD-së e LSI-së quajini si të doni, po ligjërisht ata njihen si të përzgjedhur prej Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Vota e tyre ishte përcaktuese për të kaluar kërkesat e PD-së të materializuar në marrëveshjen e 5 qershorit.

Në këmbim të votës së tyre, ata morën premtimin solemn të kryeministrit Rama se do u plotësohej kërkesa për lista të hapura dhe ulje të pragut elektoral. Praktikisht, mazhoranca socialiste u bë thjesht një notere e kërkesave të opozitës jashtëparlamentare e asaj parlamentare, duke u munduar të ekstrem që të harmonizojë sa të mundet kërkesat e tyre që hera herës binin në kontradiktë me njëra- tjetrën.

E pra, gjithë këto negociata, gjithë këto lëshime, gjithë këto begenisje ndaj gjithë llojeve të opozitës, nuk mund t’i bëjë një diktator. Një diktator ulet e shkruan vetë një ligj nga fillimi në fund dhe i vë të gjitha palët përpara faktit të kryer. A jemi në këtë rast përpara një situate të tillë? A kemi të bëjmë në këtë rast me një diktator që analistët opozitar duan ta identifikojnë me Ramën? Përgjigja i takon lexuesit.