fbpx

“Lufta ndaj koronavirusit”: SHBA e miraton për përdorim urgjent vaksinën e Pfizer’it

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e Shteteve të Bashkuara e ka dhënë miratimin për përdorim urgjent të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” kundër koronavirusit.


“Autorizimi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve për përdorim urgjent të vaksinës së parë kundër Covid-19 është një hap i rëndësishëm në luftimin e kësaj pandemie shkatërruese që ka prekuar aq shumë familje në Shtetet e Bashkuara dhe përreth botës”, tha përmes një deklarate komisioneri i këtij institucioni, Dr. Stehpehn Hahn.

Ky vendim shënon një pikë kthimi në Shtetet e Bashkuara, ku mbi 294 mijë amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi, më shumë se në secilin shtet tjetër në botë. Shtetet e Bashkuara i ndoqën shembujt e Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Meksikës, të cilat gjithashtu e kanë miratuar përdorimin e kësaj vaksine për përdorim të gjerë në publik.

Në një video të postuar në rrjete sociale, Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e çmoi vaksinën e Pfier-it dhe e cilësoi atë si një ndër arritjet më të mëdha shkencore në histori, duke shtuar se dozat e para do të shpërndahen brenda më pak se 24 orëve, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Shkencëtarët ende janë duke bërë hulumtime për të zbuluar se sa zgjat reagimi imunitar që e shkakton kjo vaksinë, shkallën e rasteve pa simptoma te personat që vaksinohen dhe për të vërtetuar nëse vaksina e parandalon përhapjen e virusit nga personat e vaksinuar te të tjerët.

Vaksina në Shtetet e Bashkuara do të jetë e lejuar për personat mbi moshën 16-vjeçare, ndërsa kompania që e ka zhvilluar atë po e vazhdon një studim të efekteve të vaksinës te fëmijët e moshës 12 deri 15-vjeçare.