Mbi një gjobë në bllok

Nga Ilir Beqaj

Jam njohur nëpërmjet medias on line me vendimin nr. 717, datë 15 tetor 2020 të Autoritetit të Konkurrencës. U bëra kurioz dhe lexova tekstin e vendimit.

Sipas këtij vendimi, 24 kompani shqiptare që tregëtojnë me shumicë barna dhe pajisje mjekësore janë gjobitur sepse nuk kanë zbatuar vendimin e Autoritetit të Konkurrencës nr. 685 datë 18.03.2020.

Autoriteti i Konkurrencës paska hetuar prej 7 muajsh tregëtimin e atyre që i ka quajtuar “materiale paramjekësore”, më konkretisht (dezinfektant, alkool dhe maska).

U habita me termin “materiale paramjekësore”. Në Shqipëri kemi legjislacion për barnat, për pajisjet mjekësore, për lëndët biocide, për produktet kozmetike, por “materiale paramjekësore” nuk kam parë, dëgjuar apo lexuar ndonjëherë.

Unë e di që nuk jam një personazh i dashur për operatorët e tregut farmaceutik. Nuk mund të përjashtoj që midis 24 kompanive të gjobitura të ketë midis tyre kompani që kanë abuzuar me situatën e krijuar prej sëmundjes Covid 19.

Por nuk pajtohem me trajtimin “en bloc” dhe goditjen “en bloc” që i bëhet masivisht tregut farmaceutik me shumicë.

Si çdo treg tjetër në Shqipëri edhe ky treg ka problematikat e veta, por për çfarë ofroi gjatë pandemisë së pari operartorët meritojnë një mirënjohje të madhe në emër të shoqërisë se ia dolën të garantojnë furnzimin e rregullt të tregut me barna, pajisje mjekësore, produkte kozmetike dhe lëndë biocide edhe në mars dhe prill 2020 kur jeta ekonomike e vendit por edhe e Europës pothuajse u ndal.

Sa për hetimin nuk është e vështirë të gjendet informacioni në kohë të shkurtër.

Mjafton të kërkohet informacion në:

– Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave

– Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore

– Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve

Kështu mund të zbulohet se cilat kompani kanë vepruar në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë duke cënuar interesat e konsumatorëve.

Artikuj të ngjashëm