fbpx

Një homoseksual emërohet për herë të parë zv.ministër në Qeverinë greke

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka emëruar zv.ministrin e parë homoseksual duke hyrë në histori.

Nicholas Yatromanolakis, 44-vjeç, u emërua si zv.ministri i ri i Kulturës pasi u promovua nga pozicioni i sekretarit të përgjithshëm në ministri.

The Accociated Press shkruan se në riorganizimin që i bëri kabinetit, Mitsotakis i mbajti të pandryshuar ministrat e Shëndetësisë dhe Financave si dhe shumicën e pozicioneve të tjera kryesore.

Yatromanolakis shpesh poston fotografi të qenit të tij Vrasidas dhe maces së tij Patrick në Instagram. Në profilin e tij, ai e përshkruan veten si ‘baba i një mace dhe qeni’ dhe i vendos kafshëve përemrat ‘ai / atij’.

Ai ka studiuar Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Panteion në Athinë ndërsa studimet Master i ka përfunduar për Politikat Publike në Universitetin e Harvardit.

Emërimi i tij shihet nga kritikët si një lëvizje historike për komunitetin LGBT pasi Yatromanolakis është përqendruar në të drejtat e tyre gjatë fushatave.

Yatromanolakis gjithashtu bëri histori në korrik të vitit të kaluar, kur u bë i pari homoseksual që emërohet në një post të lartë qeveritar. Ai u emërua si sekretari i ri i Përgjithshëm i Kulturës Bashkëkohore.

Ai gjithashtu ka qenë aktiv në përfshirjen sociale të popullatave të cenueshme, si dhe shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve.

Yatromanolakis ishte një anëtar themelues i partisë politike Potami. Para se të largohej nga partia në vitin 2016 për t’u bashkuar me qeverinë aktuale Demokracia e Re, ai ishte menaxheri i fushatës së Potami-t për zgjedhjet e BE-së në vitin 2014.