Pas Francës, Erdogan i tregon “fuqinë” edhe SHBA-së: Ne jemi Turqia

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sfidoi Shtetet e Bashkuara që t’i vendosë sanksione Turqisë, ndërsa nisi gjithashtu një sulm të dytë personal ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron.

Duke folur një ditë pasi i sugjeroi të parit të shtetit francez se kishte nevojë për trajtim të shëndetit mendor për shkak të pikëpamjeve të tij mbi Islamin dhe myslimanët radikalë, Erdogan zgjeroi gamën e kritikave.

“Cilado qofshin sanksionet e tuaja, mos i vononi”, tha Erdogan, duke iu referuar paralajmërimeve të SHBA-së për Turqinë që të mos përfshihej drejtpërdrejt në konfliktin në Nagorni-Karabakun, ku Ankaraja mbështet Azerbajxhanin kundër forcave etnike armene.

“Ne kemi ndërhyrë për F-35, ju na kërcënuat”, tha Erdogan në një kongres televiziv të partisë qeverisëse në qytetin lindor të Malatyas. “Ju thatë:  Dërgoji S-400 përsëri në Rusi. Ne nuk jemi një shtet fisnor. Ne jemi Turqi”.

Mosmarrëveshja mbi S-400, për të cilën NATO thotë se përbën një kërcënim për aleancën ushtarake dhe veçanërisht rrezikon sekretet teknike të F-35, është midis një numri të mosmarrëveshjeve të fundit mes Turqisë dhe disa prej aleatëve të saj në NATO.

Udhëheqësi turk përmendi gjithashtu kërcënimin e sanksioneve të Uashingtonit pasi Turqia testoi sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 të prodhuar nga Rusia.