Rama bisedë me kreun e KE, temë kryesore Konferenca e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka ndarë në rrjetet sociale një foto nga biseda online që zhvilloi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kreu i KE, tregon se bisedoi me Ramën për konferencën e parë ndërqeveritare dhe shtoi se solidariteti gjatë pandemisë ka forcuar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Edhe kryeministri Edi Rama reagoi për këtë takim të rëndësishëm online, duke shpjeguar se gjatë tij u bisedua për konferencë ndërqeveritare Shqipëri-BE, planin e investimeve dhe Shengenin Rajonal.

“Një bashkëbisedim si gjithnjë miqësor, i hapur, interesant me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun e çmuar, Charles Michel, një mbështetës i pakursyer i integrimit europian të Shqipërisë e të Ballkanit Perëndimor. Folëm për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE, si hap domethënës në rrugën drejt anëtarësimit pas çeljes së negociatave; Planin Europian të Investimeve në rajonin tonë; ecurinë e Shengenit Rajonal dhe tematikën e konflikteve në zonën e OSBE”, shkruan Rama.