Rrahmani me bashkëlojtarë te Napoli dalin negativë në testet për Covid-19

Skuadra e Napolit është në vetizolim që prej javës së kaluar, pasi Piotr Zielinski dhe Eljif Elmas dolën pozitivë në testimin për Covid-19.

Napoli s’u lejua të udhëtojë drejt Torinos për ndeshjen e 4 tetorit kundër Juventusit në Serie A dhe që prej atëherë futbollistët janë urdhëruar të ngujohen.

Por të gjitha testet e bëra deri tani, përfshirë edhe atë të fundit të hënën, asnjë lojtar tjetër i Napolit nuk ka dalë pozitivë për Covid-19.

Kjo nënkupton se Napoli duhet të jetë i gatshëm të përballet me Atalantën të shtunën në ligë.

Napolitanët i kanë vazhduar stërvitjet rregullisht edhe pse në ngujim.

Rrahmani – i cili iu bashkua skuadrës së Gennaro Gattutos këtë verë pasi Napoli e bleu nga Verona në janar – mori shumë kritika në Kosovë edhe pse mungoi me arsye në humbjen e verdhekaltërve kundër Maqedonisë së Veriut në takimin historik për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Kapiteni i kombëtares dardane u detyrua të sqarohet në rrjetet sociale për mungesën në ndeshjet e Kosovës, duke qartësuar se nuk ishte lejuar të largohet nga qyteti nga klubi dhe autoritetet lokale.