Skena Politike dhe Skena Artistike

Nga Haxhi Isufi

Në fund u prish dhe Teatri. Po si nisi lufta kundra institucioneve artistike ne Shqiperi?! Ishte viti 92-93 ku kinematë e Tiranës ishin të mbyllura ose ato që hapeshin shfaqnin filma porno me vidio kaseta. Me spektator shitësat e zonës rrotull kinemave dhe pijanecë. Ilaçi u gjet dhe kinematë u dhanë me qera. Humbën njëherë e përgjithmonë reklamat e filmave Shqiptarë dhe ato të huaj. Ca u kthyen në kafene, ca në magazina, dhe ca në dyqane mobilierishë. Kaloi pak kohë dhe Kinema 17 Nëntori (e ndërtuar nga italianët) ju dha pronarëve dhe u shemb. Pas saj radha i erdhi Kinema Republikës. Të dyja u bënë pallate me shumë kate. Asnjë artist nuk u ndie, asnjë intelektual, perveç ca punëtorëve, pastruese dhe operatore kinemaje. Që të mos zgjatem me historitë e kinemave, u shemb dhe kinema Partizani ( ashtu është edhe sot), u shemb kinema Ali Demi ( ashtu është edhe sot), iku kinema Agimi, Ylli Kuq etj.. Dhe sot nuk kemi kinema më. Thonë që është një tek TEG. Kështu skena politike i zhduku kinematë artistike. Pak më vonë i erdhi radha Teatrit të Estradës, njëra palë i nxorri artistët e mëdhenj të humorit në rrugë dhe me të ardhur pala tjetër ia dha deputetit të vet për kafe dhe univeristet. Prap heshtje e artistëve, heshtje e analistëve. Cirkun e ngushtuan dhe e bënë si furrik pulash, dhe një ari që kishin ja hoqën trupës së Cirkut dhe e dërguan në kopështin zoologjik, se në cirk nuk kishte fonde për ushqim për ariun. Iku dhe Estrada e ushtarit me gjithë skenën e saj tek SHQUP-i ( sot seli Partie). Kështu që kinematë, cirku, estrada dhe njerëzit e tyre të skenës dolen nga “skena”.

Më pas “skena” politike ju qep Hollywood-it Shqiptar, Kinostudios. E bënë copa – copa dhe u kthye në një lagje e televizioneve të Partive (sot aty japin mend analistët tane), dhe asnjëherë nuk u fol se si u rrëmbye prona publike apo private. Jo vetëm analistët, por as edhe artistët.

Iku dhe pallati i Pionierëve, Piramida etj. dhe në fund i erdhi radha Teatrit Kombëtar i cili i mbijetoi për 20 vite luftës për tu shembur. Artistët me peshë thonë se ajo godinë nuk mban peshë dhe aktorët pa peshë (e them pa të keq) thonë se godina ka shumë peshë. Erion Veliaj tha se është një godinë prej kartoni, por une e çmoj si karton të artë. Ajo godinë të bëhej muze dhe të ndërtohej një teatër i ri (sipas mendimit tim), por palët janë futur në sherr, dhe sherri nuk vjen se u dhimbset arti apo kultura dhe vlerat e një kombi. Të gjitha palët kanë hallin e vet se nuk ka mbetur më as çfarë të shembet, e as çfarë të shitet. U zhduk memoria. Nuk dimë ç’ti themi fëmijëve, nipërve apo mbesave. Teatri ka ndezur dhe protestat nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit të cilët kërkojnë shpërndarjen e parlamentit, dorëheqjen e kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë. Unë jam me ju dhe vij tek ju nëse e keni me të gjitha palët, se të gjitha janë armiq të artit Shqiptar.

Artikuj të ngjashëm