fbpx

Vjosa Osmani kërkon mbështetjen e ndërkombëtarëve për ndjekjen e krimeve serbe

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, për të ndjekur penalisht personat që kanë kryer krime lufte dhe genocid në Kosovë.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjete sociale, Osmani kujtoi gratë e dhunuara nga forcat serbe gjatë luftës dhe tha se asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim.

“Gjatë gjithë historisë sonë, populli i Kosovës vazhdimisht ka demonstruar një dëshirë të madhe për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën ende vazhdon. Pas më shumë se dy dekadash, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi. Ne ende sot kemi prindër që dëshirojnë të dinë vendndodhjen e mbi 1,600 kosovarëve të zhdukur. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do të gjejnë drejtësi. Ata kanë të drejtë të dinë vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur. Nisur nga kjo, ne kërkojmë mbështetjen tuaj në ndjekjen tonë për drejtësi për krimet e luftës dhe genocidin serb, si dhe në kërkimin tonë për përgjegjësi për personat tanë të zhdukur.”, tha mes të tjerash Osmani.